LDK-ja jep emrat për ekzekutivin në Prizren

Kryesia e degës së LDK-së në Prizren në mbledhjen e mbajtur të enjten mbrëma me shumicë votash ka miratuar katër emrat që parashihet ta përfaqësojnë këtë subjekt në Ekzekutivin lokal, shkruan sot “Koha Ditore”.Megjithëkëtë për zyrtarizimin e emërimit të tyre në Qeverinë komunale nevojitet edhe aprovimi nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.Petrit Hoxhaj, nga kryesia e degës së LDK-së në Prizren, që njëherësh është edhe anëtar i KK-së, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se kryesia e degës me shumicë votash ka vendosur që të propozojë “Eshref Memajn për nënkryetar të Komunës së Prizrenit, Fatmir Memajn për drejtor të Urbanizmit, Fejzë Kabashin për drejtor të Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Egzon Elshanin për drejtor të Bujqësisë”.

Ndërkaq anëtari i kryesisë së degës së LDK-së, Arsim Berisha, përmes një postimi ka sqaruar se gjatë takimeve të LDK-së me LVV-në ishte arritur marrëveshja për pozitat e nënkryetarit dhe 3 drejtorive, në mesin e të cilave ka qenë edhe Drejtoria e Shëndetësisë, që më pastaj është zëvendësuar me dikasterin e Bujqësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *