Familja e Astrit Deharit e gatshme të bëjë zhvarrimin e trupit

Janë bërë më tepër se 15 muaj nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, teksa po mbahej në lidhje me sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Në dhjetor të vitit 2016 Kuvendi miratoi një rezolutë sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkonte ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe qeveria do t’ia hiqte të gjitha shpenzimet.Me kërkesë të familjes Dehari ekspertiza iu besua Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze, ndërsa për këtë ekspertizë Qeveria e Kosovës ndau 50.000 euro.Përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, avokati Tomë Gashi, tha se së shpejti priten të dalin rezultatet e para lidhur me hetimin e vdekjes së Deharit nga qendra zvicerane.
Gashi tha se përkundër dhimbjes, nëse Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze kërkon zhvarrimin e Astrit Deharit, familja do ta pranojë një kërkesë të tillë për zbardhjen e së vërtetës.“Familja e Astrit Deharit presin hetime ndërkombëtare, e jo vetëm dërgimin e dokumentacionit nga Prokuroria Themelore në Prizren te ky institut dhe që ata pastaj kinse të dalin me një raport për gjetjet e tyre. Familja e Astrit Deharit ka pranuar publikisht se nëse ata kërkojnë edhe ekshumimin eventual të trupit të Astrit Deharit, ata do ta lejojnë, apo nxjerrjen e trupit të tij pas varrosjes për ekzaminime eventuale, mirëpo të gjitha këto nëse ky Institut i konsideron të nevojshme”, tha Gashi.Avokati Gashi tha se pa marrë parasysh rezultatet e institucionit zvivceran, në aspektin juridik familja e Deharit do të pranojë atë.“Me siguri që Instituti Zviceran në momentin që e bjen eventualisht një ekspertizë tjetër, familja e Astrit Deharit, por edhe unë si përfaqësues i tyre do ta pranojmë në aspektin juridik çfarëdolloj rezultate që të jenë”, tha Gashi.Për vdekjen e Deharit, avokati Gashi tha se përgjegjës janë ata që duhej të kujdeseshin për jetën e tij prapa grilave.“Unë besoj që institucionet të cilat është dashur që ta ruajnë jetën e tij, aty nuk i di emrat e përveçëm kush janë ata persona, por në kuadër të institucioneve fare lehtë mund të gjinden ata të cilët kanë qenë përgjegjës për ruajtjen e jetës së tij, meqenëse ai ka qenë në Institutin e Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku jeta e tij do duhej të ishte e sigurt dhe e garantuar dhe jo që të hyjë një djalë i ri 26 vjeç, i gjallë, shëndosh dhe mirë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe që të dalë i vdekur apo në arkivol”, tha Gashi.Avokati foli edhe çfarë do të ndodhë nëse institucioni zviceran që do të kryejë ekspertizën, nxjerr rezultatet e njëjta si institucionet kosovare për vdekjen e Deharit“Unë besoj se nuk duhet të ketë përgjegjësi dhe nuk ka as Instituti i Mjekësisë Ligjore, personat që e kanë kryer obduksionin, as ekspertët e pavarur, por sido që të jetë kjo mund të konsiderohet si një superekspertizë e cila në aspektin juridik do ta mbyllë çështjen Dehari”, tha Gashi.Gashi e quajti të gabuar deklarimin për vetëvrasjen e Astrit Deharit.Në një konferencë për medie të dhënë më 18 nëntor të vitit 2016 nga kryeprokurori Sylë Hoxha, ai ka deklaruar se të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor kanë demonstruar se ky rast ishte vetëvrasje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *