FJALËT QË NUK I THA PARA MARKOVIQIT – HARADINAJ I THOTË NË FACEBOOK

Fjalët që nuk i tha para Markoviqit – Haradinaj i thotë në Facebook

Reagimet inferiore të kryeministrit të Kosovë, Ramush Haradinaj, në konferencën për media pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi Dushko Markoviq nuk janë përsëritur në postimin që Haradinaj e ka bërë në llogarinë e tij në Facebook.

Përderisa Haradinaj në konferencën për media nuk kishte thënë asgjë të re përveçse ka miratuar fjalët që homologu i tij malazez kishte thënë, kryeministri kosovar në Facebook ka thënë diçka të re.

Sipas postimit të Haradinajt, të dy kryeministrat janë pajtuar që të marrin një vendim të shpejtë dhe cilësor për demarkacionin ndërshtetëror.

“Kosova dhe Mali i Zi janë shembull i fqinjësisë së mirë në rajon. Kryeministri Dusko Markovic u zotua që do t’i japë çdo lloj ndihme Kosovës në perspektiven e saj euro-atlantike. Si politikanë të përgjegjshëm jemi dakorduar që të marrim një vendim të shpejtë dhe cilësor për demarkacionin e kufirit ndërshtetëror”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri malazez gjatë konferencës së sotme ka thënë edhe njëherë se demarkacioni për vendin e tij është çështje e kryer por se kjo çështje mund të diskutohet miqësisht me Kosovën për shkak të mundësisë së mirë të Kosovës për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Gjithsesi e kemi hapur edhe këtë çështje dy kryeministrat dhe dy qeveritë duhet të diskutojnë për këtë çështje. Kur është fjala për Malin e Zi kjo çështje ka përfunduar me ratifikimin e kësaj marrëveshje në kuvend, ndërkaq Kosova dihet se ende nuk e ka bërë këtë”.

“Mali i Zi si fqinjë i mirë do që Kosova të arrijë një pajtueshmëri për këtë çështje, ne kemi biseduar për këtë çështje si miq dhe Kosova në këtë mënyrë të përfitojë një mundësi të mirë për integrime evropiane”, ka thënë Markoviq gjatë konferencës së sotme.

Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Markoviqit për këtë çështje Haradinaj kishte marrë fjalën për t’i miratuar fjalët e kryeministrit të Malit të Zi, teksa është shprehur optimist se do të gjendet një zgjidhje.

“Ajo qa e tha Dushko është e vërtetë, kemi bërë përpjekje të dalim nga kjo gjendje dhe jam me shpresë se do të dalim nga kjo gjendje”, ka thënë Haradinaj shkurt në këtë konferencë.

Haradinaj kishte kundërshtuar ashpër marrëveshjen e demarkacionit duke konsideruar se Kosova po humb tokë me këtë marrëveshje. Të njëjtën marrëveshje Haradinaj ka vazhduar ta kundërshtojë edhe pas emërimit të tij si kryeministër.

Madje Haradinaj kishte thënë se edhe BE-ja do ta kuptonte se po lëviz diçka në këtë drejtim, duke aluduar në vendimin e Haradinajt, që ta dërgojë në Kuvend marrëveshjen për demarkacion së bashku me një raport që thotë se ajo marrëveshje është jo ligjore dhe e dëmshme për Kosovën, pasi i humbë territor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *